Maturanti Shqiptar: July 2013

Tuesday, July 16, 2013

Poezia Laokonti, Ismail Kadare


Poezia «Laokoonti» është një nga ato poezi të Ismail Kada­resë për të cilat pothuajse nuk flitet fare, kur ajo përbën kodin e zbërthimit të qëndrimit të Kadaresë në kohën e diktaturës komuniste. Poezia «Laokoonti» është botuar në vitin 1976, në ciklin me poezi «Koha», botuar për herë të parë në revistën «Nëntori» dhe pastaj në një libër-përmbledhje poezish të Ismail Kadare. Poezia «Laokoonti» është shkruar dhe botuar fill pas problemeve që pati Ismail Kadare në vitin 1975 me poe­zinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», e njohur ndryshe si «Pashallarët e kuq». Në fakt, poezia «Laokoonti» është rea­gimi i Kadaresë ndaj kritikës që iu bë atij për poezinë «Në mes­ditë Byroja Politike u mblodh». Në poezinë «Lao­koonti» Ismail Kadare rimerr temën e tregimit «Përbindëshi» të botuar në vitin 1965, për të cilin ai ishte kritikuar dikur, për herë të parë si shkrimtar. Në një intervistë për gazetën «Zëri i Rinisë», në 1 dhjetor 1973, Kadare thotë:
«Dëshira për të shkruar një vepër për përballimin e stuhisë revizioniste në vitet 1960 ka qenë e vjetër. Në vitin 1965 ten­tova ta realizoja këtë ide në tregimin ‘Përbindëshi’, duke u përpjekur të rishkruaja mitin e Kalit të Trojës. Për shkak të simbolikës së rënduar tregimi doli i errët».[1]
Në një tjetër intervistë të botuar në vitin 1979, në revistën «Nëntori», Kadare thotë:
«Ndeshja e Partisë sonë me revizionizmin hrushovian, duke qenë një ndeshje me proporcione madhore në planin kombëtar dhe ndërkombëtar, është njëkohësisht një luftë dhe përvojë e re, që i shtohet epopesë së proletariatit botëror. Si e tillë, edhe pasqyrimin e saj në letërsi ajo nuk e kishte të lehtë, sidomos në një gjini të gjerë si romani. Dëshira ime për të shkruar diçka për këtë ndeshje monumentale haste në pengesën që krijonte vetvetiu naiviteti i temës, si dhe në mungesën e mjaftueshme të përvojës sime si prozator për të rrokur tablo të një gjerësie të tillë. Kjo bëri që në fillim unë t’i shmangesha atakimit të drejt­përdrejtë të temës, dhe të kërkoja rrugë të tjera për ta pas­qyruar atë. Duke qenë se isha marrë gjer atëherë më shumë me poezi, m’u duk se edhe në prozë do ta kisha më lehtë të realizoja diçka duke thirrur në ndihmë kryesisht mjetet e poezisë, figuracionin dhe simbolikën poetike. Kështu, duke u nisur nga fakti që tradh­tia hrushoviane në atë kohë dhe më vonë në shtypin e propa­gandës sonë dhe në gjithë shtypin revolucionar botëror quhej si Kali i Trojës brenda lëvizjes komuniste botë­rore, unë nisa të shkruaja një novelë për historinë e moçme të Kalit të Trojës, të lidhur drejtpërdrejtë me kohën tonë. Novelën e shkrova dhe e botova më 1965 në revistën ‘Nëntori’. Siç e tregoi me të drejtë kritika jonë si dhe reagimi i lexuesve, novela pavarësisht nga qëllimi im, ishte e paralizuar, konfuze dhe aspak e qartë. Botimi i saj, megjithatë më ndihmoi mua të bindesha edhe një herë për një gjë të madhe: mjetet simbolike konvencionale ishin tepër të kufizuara dhe nuk mund të jepnin kurrsesi dëshmitë e mëdha të kohës që ishin të jetuara nga mbarë populli. Imazhi i Kalit të Trojës, sado që të përdorej në një sens të drejtë, nuk mjaf­tonte për të dhënë fytyrën reale të tradhtisë së sotme hrusho­viane».[2]
Në gjuhën e Enver Hoxhës, në atë periudhë, «revizionistë» quheshin antistalinistët, madje edhe jostalinistët. E vërteta është se nuk ka pasur një stuhi të ashtuquajtur revizioniste ndaj Shqipërisë. Kur në Bashkimin Sovjetik, me Kongresin XX, në 1956, filloi një kurs antistalinist, Enver Hoxha në Shqipëri nuk ishte entuziast për këtë dhe në fund bëri zgjedhjen e tij, duke dalë si kampion i mbrojtjes së Stalinit në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Në këto rrethana, Bashkimi Sovjetik, në dhje­tor 1961, thjesht preu marrëdhëniet me Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe përfaqësuesit shqiptarë ndaloheshin të merrnin pjesë në mbledhjet e Traktatit të Varshavës, e gjithë kjo për shkak të marrëveshjeve të fshehta për shkëmbime gjeopolitike që u bënë mes Moskës dhe Washington-it. Në këtë situatë, Enver Hoxha, i cili kishte hapësirë që të ndiqte në Shqipëri së paku shembullin e Titos, duke e hapur vendin ndaj Perëndimit, zgjo­dhi që ta bënte Shqipërinë Tempullin e Stalinit. Ismail Kadare në citimin e mësipërm e thotë qartë se ai në tregimin «Përbin­dëshi» e ka projektuar ndeshjen mes stalinistëve dhe antistali­nistëve (revi­zionistëve) në Mitin e Trojës, duke e identifikuar Kalin e drunjtë me antistalinizmin. Ideja e Kadare është që anti­stalinizmi është Kali i Drunjtë i Perëndimit kapitalist, dhe me të (antistali­niz­min), do të vijë ashtu si akejtë që kishin hyrë në barkun e Kalit të drunjtë, diversioni kapitalist dhe që do të shkatërrojë shtetin komunist, duke rikthyer kapitalizmin. Miti i Kalit të drunjtë, tekefundit përbën si një simbolikë tejhistorike, atë të një kom­ploti, një konspiracioni, për të marrë nën kontroll një shtet, për të përmbysur një pushtet. Kështu, Kadare, duke bërë këtë para­bolë, po paralajmëronte praktikisht për komplote revizio­niste (antistaliniste), pra antienveriste në Shqipëri dhe kërkonte që «kuajt e drunjtë» të goditeshin paraprakisht, së bashku me ata që fshihnin brenda. Pra, Kadare po bënte thirrje për terror stali­nist në Shqipëri. Sipas atyre që kam cituar më lart, Kadare e pohon vetë se «Përbindëshi» ishte një manifest i stalinizmit. Sipas atyreqë thotë vetë Kadare për tregimin «Përbindëshi», ai del të jetë një ftesë që i bëhej diktatorit stalinist Enver Hoxha, për të zbu­luar në Shqipëri sa më shumë komplote, sa më shumë revi­zio­nistë antistalinistë. Është shumë domethënëse që tregimi «Për­bindëshi» nuk u kritikua atëherë kur u botua për idenë qendrore të tij, por për formën në të cilën ishte paraqitur kjo ide, po të shprehem në terma të realizmit socialist.
Si shkak për t’u shkruar poezia «Laokoonti» u bënë kritikat që iu bënë Kadaresë në 1975 për poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh». Në poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh» Ismail Kadare ka zbuluar një tufë «kuajsh të drunjtë» revizionistë antistalinistë, të cilët ia sugjeron diktatorit që t’i eliminojë, duke e barazuar burokratizmin me komplotizmin. Siç kam thënë edhe në analizën e mëparshme, për poezinë e Kadare «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», Enver Hoxha vetëm disa muaj para se Kadare të çonte për botim këtë poezi kishte mbajtur një fjalim ku kishte dhënë një shifër prej 30 mijë burokratësh të kamufluar, veç të tjerëve. Nëse do të përdorej formula e Kadaresë, e barazimit të burokratit me komplotistin, kjo do të çonte në eliminimin fizik të tyre dhe në internimin e familjeve të tyre, pra në një valë të paparë terrori masiv. Siç e kam treguar tashmë, në analizën që i kam bërë kësaj poezie, Kadare u kritikua për të, se kjo që kërkonte Kadare ishte në fakt pol-potizëm, që shkonte mjaft përtej limitit të terrorit të Enver Hoxhës. Por që Kadare nuk ishte penduar për atë që bëri në poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», kjo kuptohet nga poezia «Laokoonti» që Kadare e botoi pak muaj pas kriti­kave që iu bënë për poezinë e parë. Ismail Kadare, në poezinë «Laokoonti», vetidentifikohet me Laokoontin dhe e paraqet veten si njeriun që u bë kampion i luftës kundër revizionizmit (antistalinizmit), duke paralajmëruar rrezikun e lindjes së revizionizmit në Shqipëri, me metaforën e «Kalit të drunjtë». Ismail Kadare i konsideron kritikat që iu bënë atij për tregimin «Përbindëshi» në 1965, ato për romanin «Dimri i vetmisë së madhe», si dhe ato për poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», si dhe faktin që ai u detyrua të bënte autokritikë për poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», si triumf të revizionistëve, pra antistalinistëve, pra antienveristëve të kamu­fluar brenda «Kalit të drunjtë». Ismail Kadare me poezinë «Lao­koonti» praktikisht i denoncoi si revizionistë dhe armiq tek Enver Hoxha, ata që e kritikuan për poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», që nga Dritëro Agolli, tek Ramiz Alia.
Në poezinë «Laokoonti», Laokoonti-Kadare thotë:

«Një të fshehtë të madhe ndrydh brenda gjoksit
Mijëra herë në mijëra net e ditë
Të vërtetën e frikshme përsëris pa pushim
...
Si çdo gjë e tmerrshme është i thjeshtë sekreti,
Që brenda boshllëku i gjoksit tim mban.
Afroni, pra, kokat të dëgjoni të vërtetën,
Mua s’më mbytën gjarpërinjtë, por trojanët më vranë.
Oh sikur të mundja gjithçka të tregoja,
Si do të ngrinit para meje si gur,
Por unë jam i dënuar mes rropamës suaj
Moskokëçarëse,
monologun të thur».[3]

Më qartë se kaq nuk ka si ta thotë Kadare, se disiplina e partisë ia ka mbyllur gojën dhe ai nuk mund të flasë publikisht, por po flet në gjuhë figurative. Dhe flet aq qartë sa s’bëhet. Më tutje, Ismail Kadare shkruan në poezinë «Laokoonti»:

«Ju e dini se përpara Trojës aherë
Kali i Drunjtë, dhuratë e grekëve u shfaq.
Ky kalë në dy grupe i ndau trojanët:
Ta pranonin ose ta flaknin sakaq.

Pajtim me armikun, ulërinin tradhtarët,
Mjaft më me luftë, zjarre dhe helm.
Erdh koha që shpatat t’i kthejmë në parmenda,
Armiqtë në miq erdh koha t’i kthejmë

Në mbledhjen e gjatë ‘pro’ dhe ‘kundra’ kalit,
Unë ‘kundrat’ kryesova me tërbim.
Dhe juve ju kanë thënë se aherë hyjnitë
Gjarpërinjtë më dërguan si ndëshkim».[4]

Këtu është e lehtë që tek Laokoonti të identifikohet Kadare, i cili që nga viti 1965, kur botoi tregimin «Përbindëshi» paraqiti dhe mbrojti në letërsi tezën e krahasimit të rrezikut të revizio­nizmit (antistalinizmit) me atë të Kalit të Drunjtë të Trojës. Kur Ismail Kadare shkruan: «Në mbledhjen e gjatë ‘pro’ dhe ‘kundra’ kalit, / Unë ‘kundrat’ kryesova me tërbim», kuptohet qartë se ai e ka fjalën edhe për mbledhjen e famshme të zhvilluar në Sekre­tariatin e Komitetit Qendror të PPSH, nën kryesinë e Ramiz Alisë, për poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh». Në këtë mbledhje, procesverbali i së cilës do të ishte shumë inte­resante sikur të botohej i plotë, Kadare për një kohë të gjatë mbrojti me kryeneçësi tezën e tij të barazimit të burokratizmit me komplotizmin, duke e parë burokratizmin si kontigjent të revizionizmit, çka thuhet edhe në poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh». Kështu që Kadare, i përcakton palët në këtë mbledhje, si ata që ishin «pro kalit», pra ata që ishin kundër poezisë dhe barazimit të burokratizmit me komplotizmin, ku futeshin pjesa më e madhe e pjesëmarrësve, duke përfshirë Dritëro Agollin dhe Ramiz Alinë, si dhe në ata që ishin «kundra kalit», pra ata që ishin pro poezisë dhe barazimit të burokra­tizmit me komplotizmin, duke filluar nga vetë Kadare, deri tek ndonjë ultrastalinist skizofren, të cilit sot Kadare ka turp që t’ia përmendë emrin që e ka mbështetur atë ditë.
Më tutje, Kadare-Laokoonti i quan kritikët e tij më keq se gjar­përinjtë:

«Ç’përralla kalamajsh, ç’trillim për budallenjtë.
Unë gjarpërinjtë do t’i mbrapsja me një shkelm.
Po ç’t’i bëja fushatës së tradhtarëve kundër meje,
Shantazheve, letrave anonime plot helm».[5]

Në vargjet e mëposhtme është fare e qartë parabola që Kadare bën mes situatës ku u gjend ai kur u kritikua dhe historisë së Kalit të Trojës, siç e interpreton Kadare:

«Ditë e natë e me javë polemika vazhdonte
Nga shtresat e mesme gjer lart në qeveri.
Ishte vjeshtë.
Nën qiellin e hirnosur me erë
Kali i drunjtë përjashta priste në shi».[6]
Pra, Kadare e paraqet debatin që bëhej për veprën e tij, mes tij dhe kritikëve, që nga viti 1965, kur doli tregimi «Përbin­dëshi», në 1973, kur doli «Dimri i vetmisë së madhe», deri në 1975, kur ai çoi për botim poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», si çështje nëse do të pranohej apo refuzohej alarmi për «Kalin e drunjtë» revizionist antistalinist, që kishte para­laj­mëruar ai. Madje Ismail Kadare shkon dhe më tutje, duke thënë se ata që e kritikuan për poezinë e tij në vitin 1975, në fakt e sulmonin se ai u kishte denoncuar skemën e «Kalit të drunjtë» me tregimin «Përbindëshi» në 1965:

Atë kalë unë i pari e kisha goditur,
Ndaj e dija këtë s’do ma falnin përjetë.[7]

Është e qartë se këtu Ismail Kadare e ka fjalën për tre­gimin «Përbindëshi», të botuar në 1965, ku ai e krahasonrevi­zio­niz­min (antistalinizmin) me Kalin e drunjtë të Trojës. Ismail Kadare e thotë qartë se ata që e kritikuan atë në 1975 për poe­zinë «Në mesditë Byroja politike u mblodh» ishin revizionistë të kamf­luar (antistalinistë, pra edhe antienveristë), të cilët nuk ia falnin Kadaresë atë që në 1965 e kishte paralajmëruar lojën e tyre me figuracionin e Kalit të drunjtë. Kadare thotë duke u vetëprojek­tuar tek Laokoonti:

«Më në fund ‘vija e butë’ fitoi mbi ‘të ashprën’
Dhe ne, ‘kokëfortët’ na çuan në arrest».[8]

Ismail Kadare, në vargjet e mësipërme, duke folur figura­ti­visht si Laokoonti, thotë qartë se ai vetë ka qenë në krye të «vijës së ashpër», pra vijës ultrastaliniste në letërsi, e cila vijë madje mëtonte t’i jepte formula terrori masiv regjimit. Por Laokoonti-Kadare thotë se për fat të keq fitoi «vija e butë», që në këtë rast përfaqësohej nga Ramiz Alia dhe Dritëro Agolli dhe ai Laokoonti-Kadare u detyrua të përulej. Madje në vargjet e mësipërme Ismail Kadare bën një tjetër marrëzi ekstremiste, duke paralajmëruar Enver Hoxhën se kur të mos jetë gjallë ai, dhe në pushtet të vijnë ata të «vijës së butë» («pro kalit»), si Ramiz Alia, që drejtoi mbledhjen ku u kritikua Kadare, atëherë Kadarenë do ta arrestojnë si enverist, në procesin e deenveri­zimit, në analogji me destalinizimin që bëri Hrushovi në Bash­ki­min Sovjetik, pas vdekjes së Stalinit. Kadare shkruan:

«Në burg, me gotën e ujit, në mesnatë
Helmin më dhanë ata të pi,
Ata që ulërinin kundër dhunës dhe shpatës,
Që dinin të kafshonin tamam si gjarpërinj

Në mëngjes që pa gdhirë në breg të detit
Ma hodhën kufomën drejt mbi zhavorr.
Rapsodët aherë anembanë përhapën
Versionin fals të gjarpërinjve hyjnorë».[9]

Pra, Laokoonti-Kadare i thotë Enver Hoxhës-Priam se këta që po më kritikojnë mua sot, nesër, kur t’i të mos jesh gjallë, dhe këta të ndryshojnë kursin duke u bërë antienveristë, do të më arresojnë mua si enverist, madje do të më eliminojnë fizi­kisht. Kadare i thotë Enver Hoxhës se ata që më kritikojnë mua sot si kriminel, që kam predikuar gjakderdhje masive, nesër do të më vrasin pa gjak, me helm si gjarpërinj. Këtu kuptohet hapur se «gjarpërinj» quhen Ramiz Alia dhe Dritëro Agolli. Më tutje Laokoonti-Kadare tregon me trishtim për Shqipërinë e pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe eliminimit të Kadare, të sunduar nga revizionistët e vijës «pro kalit»:

«Ky ishte mbarimi i polemikës për kalin,
Ju e dini me Trojën ç’ndodhi pastaj.
Tre mijë vjet rresht,
nga muzeu në muzera,
Unë hamalli i mermertë gënjeshtrën mbaj».[10]

Më tutje, Laokoonti-Kadare u drejtohet sa brezave të ardh­shëm, aq edhe vetë Enver Hoxhës, duke i thënë se atë (Kada­renë) e pezmaton më shumë fakti që Enver Hoxha mori anën e «vijës së butë» («pro kalit»), duke dalë praktikisht kundër Kada­resë, se kritikët e tij që i quan «peshë e neveritshme gjarpë­rinjsh»:

«Më kanë lodhur shumë, besomëni ca fjalë,
Se kjo peshë e neveritshme gjarpërinjsh.
Ju që gjer në hënë keni shkuar si vallë
S’depërtoni dot gjer në gjoksin tim».[11]

Kështu, në imazhin e Laokoontit të kapluar nga gjarpërinjtë, Ismail Kadare paraqet vetveten në raport me kritikët e tij. Por Enver Hoxha ishte një diktator i zgjuar dhe ai e dinte mirë se nëse depërtonte deri në gjoksin e shkrimtarit të parë të oborrit të tij, nuk do të gjente tjetër veç një ultrastalinizëm, madje polpoti­zëm pragmatik, të llogaritur për t’u dukur siç i thonë fjalës më ruajalist se mbreti. Nëse Enver Hoxha do të merrte anën e «Lao­koontit» të tij, Kadaresë, atëherë duhej që Enver Hoxha të bëhej Pol-Poti i Shqipërisë, gjë që Enver Hoxha nuk donte ta bënte. Prandaj Enver Hoxha u mjaftua duke lejuar që Kadarenë ta kri­tikojnë dhe ta detyrojnë të bëjë autokritikë, por jo ta ndësh­kojnë, siç prisnin disa. Ismail Kadare duket se këtë gjë nuk e duron dot, se ai shkruan, duke folur me gojën e Laokoontit:


«Vërtiteni,
Flisni për teatrin, për plazhet,
Për gjithfarë motorësh e gjithfarë qeverish,
Pa ju shkuar mendja se ai mund të shfaqet
Në një ditë të rëndomtë, një mëngjes me shi
...
Në pafshi ndonjë ditë të bëhem copëra;
Nga marazi, siç thonë, të plas, t’ia bëj ‘krak’,
Jo kujtimet e Trojës, as gjarpërinjtë monstra,
Por indiferenca juaj
Do të bëhet shkak».[12]

Pra, Kadare thotë se ai mund të pëlcasë nga marazi ngase nuk e pa Enver Hoxhën të merrte «vijën e ashpër», «kundër kalit» dhe të bëhej Pol-Poti i Shqipërisë, duke e përmbytur ven­din në lumenj gjaku. Poezia «Laokoonti» është një sfidë që Ismail Kadare i bënte Ramiz Alisë, i cili pas spastrimeve të viteve 1974-1975 në udhëheqjen komuniste, ishte duke u afir­muar si pasardhësi i zgjedhur i Enver Hoxhës. Të gjithë ata që kuptonin diçka, e lexuan poezinë «Laokoonti» si një denoncim të Ramiz Alisë, si revizionist, tek Enver Hoxha, çka do të thoshte se Kadare po i kërkonte diktatorit që të eliminonte fizikisht delfinin e tij. Ismail Kadare e kishte dhënë kodin për të lexuar poezinë «Laokoonti» që para se ta shkruante, në mos e kishte shkruar(?!), në një intervistë tek «Zëri i Rinisë», në 1973, që e kam cituar më lart, dhe madje e dha përsëri kodin, pas botimit të poezisë, në një intervistë të botuar në vitin 1979, në revistën «Nëntori». Sigurisht që Ramiz Alia kuptoi gjithçka dhe ai që atëherë e ka përbuzur dhe urryer Kadarenë, për këtë gjë. Por Ramiz Alia ishte një politikan i sprovuar, një makiavelist i përkryer, dhe u kujdes që të mos e demonstronte këtë në sjelljen e tij me Kadarenë. Një reagim i Ramiz Alisë ndaj poezisë-denoncim «Laokoonti» është inci­denti që i ndodhi familjes së Ismail Kadaresë me djalin e Janulla Rrapit dhe vetë këtë të fun­dit, ngjarje për të cilën Kadare thotë se nuk mund të ndodhte pa lejën e pushtetit, dhe në atë kohë (1982), pushteti kishte kaluar pothuajse krejt në duart e Ramiz Alisë, për shkak se diktatori nuk ishte i aftë nga gjendja shëndetësore për ta ushtruar atë.

Ismail Kadare e përpunoi tregimin «Përbindëshi» pas vitit 1965 dhe e botoi atë më vonë, fillimisht në vitin 1986, në për­mble­dhjen me tregime dhe novela «Koha e shkrimeve», nën titullin «Rënia e Trojës» (f. 100-126), dhe pastaj në vitin 1991 si roman, duke vënë në fund të librit shënimin se ai ishte shkruar në vitet 1965-1990. Ismail Kadare e dorëzoi romanin «Përbin­dëshi» në shtëpinë botuese, në 1990, para se të largohej nga Shqipëria për në Francë dhe ai doli në qarkullim në shkurt 1991.

[Wikipedia]

Na ndiqni ne

Twitter Facebook Google Plus LinkedIn RSS Feed Email
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Shkarko app Gjoba
per te kontrolluar
gjobat tuaja