Maturanti Shqiptar: July 2016

Monday, July 18, 2016

ESE 2016 -Ne dhe Demokracia.

Ne, disa krimba toke të strukur thellë në errësirë, e demokracia, drita që regëtin mbi ne dhe që na shtyn të dalim në sipërfaqen e çelët.
Vetë termi "demokraci " përmban në vetvete lirinë dhe populli ynë, i cili më parë rrinte fillikat në një qoshe të mbuluar nga rrjetat e merimangëve disavjeçare të sistemit komunist, sot pas largimit të asaj perdje të hekurt duket sikur ka dalë në sipërfaqe.
       Refreni i përbashkët i popullit shqiptar që në fundin e viteve '90 është bërë :" E duam Shqipërinë si gjithë Evropa ", por Shqipëria u la mënjanë ndërkohë që shtetet e tjera të Ballkanit perëndimor kishin nisur rrugën e gjatë të anëtarësimit për në bashkimin evropian.
Bisedimet për anëtarësimin e vendit tregojnë se Shqipëria, një nga vendet më të varfra dhe më të izoluara të Evropës, po i afrohet pjesës tjetër të kontinentit megjithëse me hapa pothuajse të pandjeshëm.
Duke parë gjendjen dhe zhvillimin e Shqipërisë në ditët e sotme duhet thënë se është vërtet për të ardhur keq që një vend i tillë, me histori të pasur, me një pozitë shumë të favorshme gjeografike, me burime dhe pasuri nëntokësore të shumta që shfrytëzohen dhe nuk shikohen të mirat gjëkundi, me mundësinë për t'u zhvilluar dhe për të hedhur hapa më të sigurtë drejt Evropës dhe jo në fantazi të kota, por me një politikë që na penalizon, atëherë kuptojmë se rruga për në Evropë është vërtet mjaft e vështirë, pothuajse e pamundur nëse shteti ynë nuk është gati për ndryshime thelbësore.
     Një tjetër problem shqetësues që e karakterizon vendin tonë ose më saktë udhëheqësit tanë, të çfarëdo pale qofshin ata është se shqiptari gjithmonë ka dashur të marrë pjesë personalisht, kur në këto rrethana që ne ndodhemi, nevoja kombëtare kërkon unitet dhe mendime të përbashkëta;përvoja na tregon se rezultojnë më të vlefshme dy a tri mendje se sa një e tillë.
 Unë si një adoleshente që po rritem në këtë vend e shikoj veten ndryshe nga moshatarët e mi në vendet e Evropës, madje herë herë nuk hap dot as televizorin, me 'frikën' se edhe kësaj rradhe do dëgjoj kacafytjet e përhershme e të vazhdueshme të forcave politike.
Çdo ditë nga pozita dhe opozita dëgjojmë opinione krejtësisht të kundërta dhe vetëm akuza të ndërsjella, ndërsa tryezat e tyre janë shndërruar në duel këndesash në të cilin dërdëllisin deri sa u thahet pështyma, a thua se ne jemi njerëz pa logjikë, të prapambetur dhe që kemi ngelur në mëshirë të këtyre qënieve, të cilët nuk dinë cila është rruga drejt zgjimit të plotë kombëtar.
        Këtu duhet të theksoj se ata po na vjedhin.
Po na vjedhin lirinë!
A mund të ketë demokraci në një vend ku qytetari vlerësohet dhe vihet në epiqendër një herë në katër vite dhe më pas hidhen tutje fjalët e dhëna nga kandidatët?
A bëhet demokraci me të ndërruar udhëheqësit, me të bërë ca ligje të reja dhe me të stërthënë qindra e mijëra herë premtime të hiperbolizuara që nuk mbahen kurrë?
Nuk e di se kush do të dalë dhe t'i përgjigjet pyetjes time.  Është e drejta ime të marr një përgjigje sepse supozohet që jemi në kulmin e demokracisë së lavdishme.  A mund të ketë demokraci kur korrupsioni është anëtarësuar me qëndrim të përhershëm pothuajse në çdo institucion si privat ashtu edhe shtetëror?!
Ku banon demokracia?  Nën petkun e kujt fshihet?
Ku është e drejta ime për të folur?  Ku është liria ime për të shprehur opinionet e mia vetjake?
Në atdhe njeriu duhet të ndihet i lumtur, duhet të jetë i lirë sepse nëse nuk gjejmë liri në vendin tonë ku mund ta gjejmë tjetër? Nëse diktatura ishte një gur gjigand që shtypte lirinë e njerëzve si milingona, 'demokracia' e ditëve të sotme po rritet dita ditës, nga një gur po bëhet një shkëmb. Po të hedhim sytë pas nga historia vihet re që Shqipëria ka kaluar dorë më dorë si një plaçkë, nga një pushtues te tjetri, nga një udhëheqës te tjetri, nga një fat i keq te një akoma më i keq!  Por tani që po shkruaj është viti 2016, pra aktualisht jemi në shekullin XXI, në këtë kohë ku bota është e prirur të shkojë çdo ditë e më shumë drejt demokracisë së pastër, ne zhytemi thellë në skëterrën e pellgjeve të së shkuarës. Duket sikur timoni që udhëheq Shqipërinë nuk lëviz djathtas apo majtas sipas bindjeve politike por qëndron në vend.
Timoni qëndron aty i balsamosur, Shqipëria mbetet e njëjtë ndërsa shqiptarët përkunden me ninulla premtimesh.
       Problemi nuk qëndron vetëm brenda këtyre kornizave që i shohim çdo ditë e më qartë, ai është akoma më i thellë.
Kam frikë se këta "të mëdhenjtë " po injektojnë dalëngadalë edhe të vegjlit, disa njerëz që pak pushtet që zotërojnë, nëse mund të quhet i tillë,  e shfrytëzojnë si të ishin pasqyrimi binjakëzues i timonierëve të Shqipërisë së mjerë.
Kur të lexohen këto që kam shkruar mbase ndokush do mendojë se pse shprehem në këtë mënyrë, pse jam kaq pesimiste për këtë vend, për këtë sistem, për këtë mënyrë jetese, për të ardhmen tonë, e ndërsa unë me vetëdije të plotë mendimit të tij do i përgjigjesha se kjo nuk është një mënyrë jetese, kjo është një luftë për mbijetesë.
Luftë dhe demokraci!  Kombinimi më i shëmtuar, është absurde, njëkohësisht edhe qesharake pasi vetë populli ynë me vetëdije të plotë i drejtohet kutive të votimit duke zgjedhur njeriun që do ju rrjepë lëkurën për katër vitet e ardhshme së bashku me vartësit e tij.
Dhe absurditeti vazhdon tek shikoj se si përhapet kjo 'epidemi ' që po shfaros të drejtën dhe lirinë e çdo individi.
Duke filluar që nga zgjedhja e një senatori në klasë, e një presidenti në shkollë e deri te zgjedhja e përfaqësuesit më të lartë.
Ne i votojmë!  Po ne i votojmë sepse e drejta e votës tregon parimin themelor të demokracisë, votojmë, ushtrojmë të drejtën tonë mbi ata, të zgjedhurit.
E pasi ne kemi bërë një sjellje, në dukje të parë demokratike, fillon lufta e ftohtë.
Ne luftojmë sepse jemi ne demokraci!
E kush do t'ja dijë që çdo ditë vidhen jetë njerëzish, vidhen mundësi studimi, vende pune e të mira materiale dhe ekonomike?  Mos vallë këta drejtuesit tanë do derdhin ndonjë lot krokodili për këtë?  Absolutisht jo!
        Do jem unë, shokët e shoqet e mia që do na duhet të përballemi me këtë sistem për të gjetur një vend pune në të ardhmen, i cili me shumë gjasa do na zihet me' meritë' nga ndonjë i afërm apo djalë /vajzë deputeti.
Mbase do jemi ne ata që do derdhim lot për mundësitë e mohuara për mundin e shkuar dëm, për mungesën e të drejtës tonë si qytetarë të një shteti demokratik për të gëzuar një vend pune pas shumë viteve stërmundimi studimesh.
       A nuk është kjo luftë për mbijetesë?
Është.
Por nëse shteti ynë nuk di t'i vendosi pikat mbi 'i', ne mund ta bëjmë shumë mirë!
Në djall vaftë Evropa dhe imazhi i rremë demokracisë, me të cilin gënjehemi si fëmija pas biskotës së preferuar.
Jemi ne djem e vajza të ketij vendi, rinia, kënga e zëri jonë, zëri i gjyshërve tanë, i mamave edhe baballarëve, i atyre që ikën dhe atyre që do vijnë.
Jemi ne ata që nëse ngrihemi mund t'ja dalim.
Është fuqia dhe fryma jonë optimiste për  ndryshim që mund të shkatërrojë çdo barrierë që po mban të kapur për këmbësh e duarsh demokracinë e vërtetë.
Ne mund t'ja dalim.
Vetëm ne dhe Demokracia deri në fund!

---------------
Derguar : Klodiana Nakaj
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Shkarko app Gjoba
per te kontrolluar
gjobat tuaja