Maturanti Shqiptar: Burimet e shkruara greke dhe romake per Ilirine

Tuesday, January 29, 2013

Burimet e shkruara greke dhe romake per Ilirine

Burimet e shkruara greke dhe romake per Ilirine



Lajmet e para mbi fiset Ilire dhe vendin e tyre i gjejmë që në monumentet më të hershme të letërsisë helene, që në poemat e Homerit e të Hesiodit. 
Në poemat e Homerit gjejmë edhe disa që kanë për subjekt historinë e Ilirisë, p.sh. poema mbi pjesëmarrjen e paioneve  luften e Trojes , për lokalizimin e vendbanimeve të tyre, për pjellorin e tokës së thespoteve (Epirit), etj. Duke folur për pjesëmarrjen e ilirëve paionë në luftën e Trojës kundër ahejve, Homeri i barazon prijësit e tyre ushtarakë, që vinin nga “Paionia pjellore” me prijësit e ahejve dhe të trojanëve. Në një vend të poemës “Odisea” flitet për Feidonin, prijësin me origjinë 
fisnike të thesprotëve, i cili pasi strehoi dhe mirëpriti në pallatin e vet Odisenë, gjatë kthimit për në atdhe, përgatiti një nga anijet e tij të shpejta për ta dërguar atë në Itakë. Sipas këtij tregimi mitik, Feidoni përfaqëson këtu njërin nga krerët që jetonte në një nga pallatet më të pasura të thesprotëve. Këta kishin anijet e veta e njerëz që u shërbenin.
Shumë kuptimplotë në këtë drejtim është dhe një tregim i Herodotit, sipas të cilit, Klistheni, kur ftoi në Sikione (rreth vitit 570 p.e.sonë) të gjithë burrat që do ta ndienin veten të denjë për të pasur për grua të bijën e tij Agaristën, midis atyre që u paraqitën tek tirani qe edhe një farë Alkoni nga Molosia. Sipas këtij tregimi, ky molosas duhet të ketë qenë nga një familje princore ose shumë e pasur, që të pretendonte për të lidhur krushqi me një skllavopronar të madh të Greqisë së asaj kohe, siç ishte Klistheni.
 Këto dromca janë lajmet e shkruara më të vjetra që kemi për historinë e Ilirisë. 
Interesi i shkrimtarëve grekë për trevat e Ilirisë dhe ilirët u shtua sidomos në shek. VI-V para e.sonë, kur në brigjet lindore të Adriatikut u themeluan kolonitë e para helene si Dyrrahu, Apollonia, Buthroti, etj. Lidhjet e ngushta që mbanin këto qytete me metropolet, si edhe ardhjet e shpeshta të udhëtarëve e tregtarëve grekë për t'u njohur e tregtuar me vendet e pasura me minerale si edhe me prodhime blegtorale e bujqësore të Ilirisë, bënë që në këtë kohë bota greke të merrte njohuri më të plota e të sakta për ilirët e Ilirinë. Burimet e shkruara dhe ato arkeologjike dëshmojnë se, gjatë kësaj periudhe, ilirët merreshin si dhe më parë kryesisht me bujqësi dhe me blegtori.Jo rastësisht, krahina të veçanta ilire, si Paionia dhe Thesprotia, përmenden që në eposin homerik si vende frytdhënëse dhe pjellore, d.m.th. të përshtatshme për kulturat bujqësore. Hesiodi, shkrimtar grek i shek. VIII-VII p.e.sonë, do ta cilësojë gjithashtu si shumë pjellore fushën e Helopisë, ndërsa sipas historianit grek Hekateut (fundi i shek. VI-V p.e.sonë), në Iliri kishte krahina që prodhonin deri dy herë në vit. Më vonë Skymni, duke përsëritur në vargjet e tij Hekateun, shton se popullsia ilire që banonte në viset e brendshme merrej me lërimin e tokës. Krahas bujqësisë, në Iliri, veçanërisht në zonat bregdetare të saj dhe në krahinat e ulëta kodrinore me klimë të butë, qenë kultivuar dhe rrushi e ulliri. “I ngrohtë dhe frytdhënës ka qenë ky vend, shkruan historiani dhe gjeografi grek Straboni në veprën e tij “Gjeografia” (shek. I e.sonë); ai është plot me ullishta dhe vreshta”, vijon ky autor, përveç disa krahinave të pakta ku toka është fare e ashpër.
Tek ilirët ishte e zhvilluar edhe blegtoria, madje në krahinat e brendshme malore ajo përbënte bazën kryesore të ekonomisë së tyre. Hesiodi duke e cilësuar Helopinë si një fushë shumë pjellore dhe me livadhe të gjera, shton se ajo është e pasur me tufa delesh dhe me qé këmbëharkuar, ndërsa Pindari, do ta vlerësonte, në shek. V p.e.sonë, këtë krahinë si ushqyese të shkëlqyeshme të gjedhit. Hekateu gjithashtu bën fjalë për kullota të pasura të Adrias (krahinë bregdetare e Ilirisë), dhe për bagëtinë e saj me pjellshmëri të lartë. Si te ky autor i hershëm, ashtu dhe tek të tjerët, që përsërisnin më vonë këto njoftime, ato shpesh paraqiten të veshura me hollësira fantastike.
Ilirët shfrytëzonin në këtë periudhë edhe bletët, prej të cilave ata siguronin mjaltin dhe dyllin. Sipas Aristotelit, taulantët e përdornin mjaltin edhe për të bërë një lloj pijeje të ngjashme me atë të verës së ëmbël dhe të fortë.
Kujdesi që tregonin ilirët për mbarështimin e bagëtisë vihet re edhe nga tregimi i Aristotelit për kriporet e autariatëve dhe ardianëve. Konfliktet e shpeshta midis këtyre dy fiseve për këtë kripore, shprehin shqetësimet e blegtorëve ilirë lidhur me këtë produkt shumë të vlefshëm për jetën e gjësë së gjallë. “Kripa, - thotë Aristoteli, - u duhet atyre për kafshët, të cilave ua japin dy herë në vit, përndryshe shumica u ngordh”.
Deti, liqenet si dhe lumenjtë, që e përshkonin Ilirinë në drejtime të ndryshme, u dhanë mundësi banorëve pranë tyre të merreshin që herët edhe me peshkim. Këto burime ujore përmbanin sasi të shumta peshku. Kështu, p.sh. ilirët që jetonin pranë liqenit Prasiada të Peonisë, zinin, sipas Herodotit, shumë peshk.
 Në veprat e gjeografëve dhe historianëve të mirënjohur grekë të shek. VI-V para e.sonë si Hekateu, Herodoti dhe në mënyrë të veçantë Thukididi, ne gjejmë të dhëna, megjithëse nganjëherë të shkurtëra e të shpërndara, shumë të rëndësishme me karakter historiko-gjeografik, etnografik dhe ekonomik për Ilirinë në periudhën e formimit të shoqërisë së hershme me klasa dhe të lindjes së formacioneve të para shtetërore. Nuk është, pra, aspak e rastit që pikërisht në këtë kohë (shek. IV-II para e.sonë) të shtohen në mënyrë të ndjeshme të dhënat burimore mbi historinë e Ilirisë.
Për fat të keq një pjesë e madhe e veprave, që përmbanin këto të dhëna kanë humbur. Të tilla janë p.sh. veprat e Theopompit, Agatharhidit, historitë e fushatave të Filipit II dhe Aleksandrit të Maqedonisë kundër ilirëve, Historia e Pompe Trogut, "Historia e Epirit" e Proksenit, bashkëkohës i Pirros etj. Vlerën e madhe që do të kishin këto vepra si burime të dorës së parë për historinë e ilirëve në epokën e lulëzimit më të madh të tyre ekonomiko-shoqëror e politik-kulturor e tregojnë më së miri veprat e shkrimtarëve të mëvonshëm si Diodori i Siqelisë, Kurt Rufi, Plutarhu, Arriani, Atheneu, Justini, etj., të cilët kanë shfrytëzuar këta autorë më të lashtë dhe na kanë kumtuar pjesë të shkëputura, shpesh herë shumë të shkurtuara e të gjymtuara, nga shkrimet e tyre. Për fat të keq nuk janë të pakta edhe ato raste kur nga veprat historike të ruajtura kanë humbur pikërisht ato libra e kapituj që trajtonin kryesisht ngjarje të zhvilluara në trevën e Ilirisë në këtë kohë. 
Në mes të veprave të historianëve dhe gjeografëve grekë të kohës helenistike të arritura tek ne në formë të plotë ose të pjesshme, siç janë ato të Aristotelit, Demostenit e Skylaksit, dallohet vepra e shquar historike e Polibit qe  na jep të dhëna të rëndësishme e të sakta mbi historinë e mbretërisë ardiane.
 
Ndër shkrimtarët e vonë, ai që u interesua seriozisht për historinë e shekujve të mëparshëm dhe në veprën e të cilit ne gjejmë të dhëna me vlerë për qëndresën e ilirëve kundër pushtimit romak në kohën e Augustit, është Dion Kasi, i cili megjithëse nuk shkëlqen nga fryma kritike, mbetet gjithmonë një gjurmues i mirë.
 
Një burim tjetër që flet për historinë e rezistencës kundër pushtimit romak është edhe Historia e Velei Paterkulit, dëshmitar i disa prej këtyre ngjarjeve, i cili me ngjyra të gjalla pikturon tablonë e kësaj epoke historike të luftës së ilirëve kundër pushtuesve romakë.
 

Mjaft interesante eshte vepra gjeografiko-historike e Strabonit e cila si burim për njohjen e krahinave ilire, ka jo vetëm shfrytëzimin e gjerë nga ana e tij e disa gjeografëve më të vjetër por edhe në vetë përshtypjet e tij personale që ai grumbulloi në udhëtimet e tij të gjate. Për periudhën fill mbas pushtimit romak rëndësi të madhe kanë edhe fjalimet e letrat e oratorit romak Ciceronit, si dhe komentarët e Jul Cezarit, veçanërisht komentari mbi "Luftën civile", një pjesë e së cilës u zhvillua në Iliri.
Në mes të shkrimtarëve që na kanë lënë të dhëna për Ilirinë e kësaj kohe, janë gjithashtu gjeografët Pompon Mela e Klaud Ptolemeu. Vepra e këtij të fundit është më e rëndësishmja për epokën romake dhe njëra nga më të rëndësishmet e kohës antike. Megjithëse në veprën e tij ka shumë pika të errëta dhe pasaktësira, numri i madh i emrave të fiseve dhe vendbanimeve që na i kumton Ptolemeu, duke i shoqëruar këto edhe me kordinatat përkatëse gjeografike, përbën një bazë të rëndësishme për studimin e Ilirisë në shek. I-II të e. sonë. 

Ketu kemi disa rreshta ne te cilat Homeri flet per Iliret tek Iliada dhe Odiseja : 
Homeri


Iliada
libri XXIrradhët 150-161


"Kush je ti prej burrave qe kundër meje guxon të vish?
Është fatëkeq ai djalë që mërinë time kundërshton"
Atij menjëher ju përgjegj i biri i shkëlqyer i Pelegonit
"O Peleid zemërgjërë, për fisin tim pse pyet?
Jam nga Paionia pjellore dhe e largët,
burrave paionëheshtëgjatë ju prij; kam
njëmbëdhjet ditë që kam ardhur në Ilion
Fisi i im vjen prej Aksit me rrjedhë të gjërë
(prej Aksit që me ujë shumë të mirë tokëm vëshon)
që lindi Pelegonin, shtizorin e përmendur; prej këtij thonë
se Linda unë. Tashti të luftojmë o Akil i ndritur".
Odisea
libri XIX, rradhët 270-277


Unë tani mora vesh kthimin e Odiseut
diku, në tokat pjellore të thespotëve
jeton dhe sjell thesare të shumta dhe të çmueshme
Kështu më tha mreti i thespotëve.
i cili pasi u bëri fli perëndive të pavdekshëm
kishte pregatitur një anije të shpejtë dhe bashkë me njerëz e kishte nisur
për të çuar Odiseun në atdheun e tij.
Lexo me shume...

No comments:

Post a Comment

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...