ESE: Jeta | Maturanti Shqiptar

Tuesday, January 29, 2013

ESE: Jeta

ESE: Jeta!
Lindi një fëmijë! Lindi një jetë! Lindi një gëzim! Lindi një mundësi për gjeneracion, zhvillim a moszhvillim, që në embrion ka vdekjen…
-Jeta, një klithmë qarjeje, që përfundon përsëri me klithma qarje, e pavarësisht nga nocioni i papërcaktuar kohë...
-Jeta është aq individuale dhe “bronviane” në lëvizjen e saj kohore, sa që s‘mund të gjesh në globin tokësor dy jetë njësoj në zhvillim, sepse nuk ka dy njerëz njësoj, nga ana morfologjike, intelektuale dhe aktivitet njerëzor, edhe sikur të ishin vëllezërit “siamezë”…
-Jeta është luftë për të mbijetuar, është gëzim e hidhërim i mbrujtur bashkë, është rritje dhe plakje, konsumim mendor dhe fizik dhe më tepër shpirtëror, është e bukur, se jeton me shpresë, se shpresa e mban njeriun, se po vdiq shpresa, njeriu është kufomë. Jeta është iluzion dhe realitet, është e bukur dhe e shëmtuar, është dashuri, ideal dhe zhgënjim…
-Kush ta jep e ta merr jetën?!… Ja një pyetje pa përgjigje!…
“Në do të mos torturosh vetveten, mos kujto çast lumturie, kur je në kulmin e hidhërimit të vështirë.”
-Njeriun nuk e plak mosha, atë e plakin hallet, zhgënjimi, humbja në humnerën e shpresës, shpifja…
-Vjen një kohë dhe pyet veten: Ç‘kam bërë? Si e kam jetuar jetën?
-Sa lëng të ëmbël i thitha asaj? Sa helm është grumbulluar në shpirt?
-Ditët kalojnë si ujërat e lumit, një ditë ai ujë do të mbërrijë në oqeanin e paanë, për t‘u rikthyer te brezat e tjerë, në cirkuitin jetësor dhe qiellor, në vazhdimësinë jetësore dhe iluzore të pafundësisë të kësaj bote jallane dhe asaj që akoma nuk e njohim, por që duhet të jetë më e mirë, se kjo e sotmja që po jetojmë…
-Nuk ka qenie njerëzore që të mos lërë diçka në jetë nga vetja e tij. Po kështu dhe bimët e kafshët…-
E me gjithë këto të mësipërmet, jeta duhet jetuar, ashtu si ta jep fati e rasti, siç e ke të shkruar e të pashkruar, i pasur e i varfër, me halle e pa halle, me gëzime e me hidhërime, me dasma e vdekje, me miq e me shokë, me besim dhe me zhgënjime, me bukurinë dhe shëmtinë e saj…
-U shua një qiri dhe klithma çau qiellin si sirenë që lajmëron se dikush po vjen drejt hapësirës së saj të paanë… Po a vdes njeriu? A vdes shpirti i tij? Kush do të përgjigjet?…
-Lindi një fëmijë dhe klithma e tij çau qiellin dhe lajmëroi se jam këtu!… Lindi një jetë, një histori!…
-Një klithmë kur lind, një klithmë kur vdes, klithmë që mban tokën e qiellin në përjetësi enigmatike!?
Lexo me shume...

No comments :

Post a Comment

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Shkarko app Gjoba
per te kontrolluar
gjobat tuaja