Reforma Agrare si mjet kolonizimi me banore slave ne territoret shqipetare | Maturanti Shqiptar

Wednesday, March 6, 2013

Reforma Agrare si mjet kolonizimi me banore slave ne territoret shqipetare


REFORMA AGRARE DHE KOLONIZIMI NË FUNKSION TË SHPËRNGULJES SË SHQIPTARËVE DHE SERBIZIMIT TË TROJEVE TË TYRE

Jugosllavia e Versajës (1919) në mënyra të ndryshme bëri përpjekje ta zvogëlojë numrin e shqiptarëve, ta shkatërrojë tërësinë kompakte hapësinore etnike të tyre dhe, përmes politikës kolonizuese ta krijojë territorin e pastër etnik në rajonet e banuara nga shqiptarët. Për këto qëllime ndërmori një varg masash drastike të natyrës ekonomike, sociale, juridike e politike, masa për shpërnguljen e dhunshme në Turqi, Shqipëri e në vende të tjera, për asimilim, pastaj ushtroi tortura fizike policore e deri te përpjekjet për shfarosje fizike. Famullitarët shqiptarë në Memorandumin e tyre drejtuar Lidhjes së Kombeve në Gjenevë theksojnë "gjendjen e pikëllueshme që ua ka shkaktuar shqiptarëve dominimi serb; ne me siguri nuk do të jemi të fundit që do të reklamojmë para kësaj instance të lartë të drejtësisë ndërkombëtare nëse nuk ndryshon në themel e në procede politika e qeverisë së Beogradit ndaj subjekteve shqiptare. Kjo politikë tashmë tepër e pasur me ekscese e me fatkeqësi, përmblidhet në
 dy fjalë: të ndryshohet me çdo kusht karakteri etnik i regjioneve të banuara nga shqiptarët. Procedet janë vijueset: a) përndjekje të çdo lloji për t'i shtrënguar të shpërngulen; b) përdorim i dhunës për shkombëtarizimin e detyrueshëm të popullatës, të vënë në pamundësi të reagojë; c) ndjekje dhe shfarosje e elementeve që nuk pajtohen as ta braktisin vendin, as t'i nënshtrohen gjakftohtësisht sllavizimit".
Jugosllavia e Versajës, si kreaturë artificiale, që nga ditët e para të krijimit të saj, nisi me reforma agrare dhe kolonizime, të cilat, në të vërtetë, ishin vazhdim i atyre nga viti 1912, kur Serbia e okupoi Kosovën, duke bërë krime të mëdha në popullatën shqiptare. Për këto qëllime u nxorën një varg ligjesh, dekretesh, rregulloresh, udhëzimesh, urdhërash, instruksionesh e vendimesh, madje u formuan edhe banka të veçanta agrare. Në vitet e para, kolonizimi nuk funksiononte ashtu siç pritej, sepse nuk ishin kryer mirë përgatitjet, prandaj vala e parë e kolonistëve nuk ishte e kënaqur me premtimet e shtetit sa i përket tokës së marrë dhe beneficioneve të tjera. Por, më vonë, pas vitit 1923, pasi u studiuan mirë rrethanat dhe u nxorën dekretligje të reja mbi kolonizimin dhe "për të krijuar komplekse kolonizuese edhe atje ku nuk kishte tokë të lirë, të komunës apo të shtetit, pushteti angazhohej t'u merrte sa më shumë tokë të bukës shqiptarëve... Atëherë shumë familje shqiptare mbesin pa asnjë plëmbë toke ose iu la vetëm toka rreth shtëpive".Lidhur me marrjen e tokave nga shqiptarët për t’i dhënë kolonëve serbë dhe varfërimin e shqiptarëve, në këtë botim sjellim një tekst nga studimi më i hollësishëm deri tash mbi “reformën agrare” dhe kolonizimin e Kosovës të historianit serb nga Prishtina, dr. Millovan Obradoviqit.
Shqiptarëve iu morën shumë sipërfaqe të tokës së punueshme dhe të asaj bujqësore. Sipas raportit të njërit nga ideologët kryesorë të reformës agrare Gjorgje Kërstiqit, vetëm deri në vitin 1928 në rajonin e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës u ndanë më tepër se 45.000 hektarë tokë, ndërkaq deri në vitin 1940, sipas raporteve të Drejtoratit Suprem të Reformës Agrare në Shkup, vetëm disa drejtorate agrare në Kosovë dhe Shkup, për nevoja të reformës agrare, morën 381.245 hektarë tokë. Prej kësaj sipërfaqe 228.080 hektarë tokë i morën drejtoratet agrare në rrethinën e Pejës, të Ferizajt, të Mitrovicës dhe të Prizrenit.[36] Edhe pas marrjes së "tokës së lirë", shqiptarët ishin të detyruar të paguanin tatim për "tokat e huaja".
Deri në vitin 1936 u bë kolonizimi i 15.594 familjeve, u ngritën për kolonistë 11.289 shtëpi,[38] ndërsa deri në vitin 1940 në të ashtuquajturat "viset jugore" u ndërtuan 15.943 shtëpi për kolonistë. Sipas M. Obradoviqit në Kosovë midis dy luftërave botërore u bë kolonizimi i 11.383 familjeve me 53.883 anëtarë dhe i 11.729 anëtarëve të tjerë, si kolonistë të rëndomtë (kolonistë, optantë, çetnikë, autokolonistë). Mirëpo, thekson ky autor, ky numër mund të jetë edhe më i madh. Më tepër kolonistë u sollën në viset kufitare me Shqipërinë, në rrethet e atëhershme të Gjakovës (2.638 familje me 11.181 anëtarë) e të Pejës (1.594 familje me 7.175 anëtarë), pastaj të Gjilanit (1.497 familje me 7.945 anëtarë), të Istogut (711 familje me 3.208 anëtarë), të Graçanicës (1.065 familje me 5.491 anëtarë), të Podrimës (711 familje me 4.886 anëtarë), të Drenicës (563 familje me 2.321 anëtarë), të Llapit (585 familje me 3.421 anëtarë), të Vushtrisë (553 familje me 2.086 anëtarë ) etj.
Numri i familjeve që morën tokë ishte 11.722 (10.714 familje kolonistësh, 508 familje autokolonistësh, 248 familje vullnetarësh, 172 familje optantësh dhe 80 familje çetnikësh) në fond prej 99.308 hektarësh.[41] Shrytëzues të reformës agrare ishin edhe të ashtuquajturat ekonomitë shembullore, shkollat bujqësore, shkollat popullore fillore, kishat ortodokse dhe manastiret, ushtria e gjindarmëria, institucionet kulturore etj., të cilave u ishin ndarë gjithsej 104.139 hektarë tokë. Secila familje mori mesatarisht nga 8,47 hektarë tokë, ndërsa mbi këtë mesatare morën optantët (11,11 hektarë) dhe çetnikët (9,48 ha); çetnikët morën më tepër për familje në rrethin e Gjakovës (23,5 ha), të Graçanicës (13,0 ha), të Drenicës (12,20 ha) dhe të Pejës (10,07 ha). Vështruar sipas viteve, intensiteti më i madh i kolonizimit ka qenë në vitet 1928, 1936 dhe 1937.[43] Një numër i kolonistëve, veçanërisht në Rrafshin e Dukagjinit, që mori tokat më pjellore, kurrë nuk u mor me bujqësi dhe jetonte në qytet, duke e dhënë tokën përgjysmë.[44] Pushteti u dha tokë edhe komunarëve, gjindarmëve, vullnetarëve, çetnikëve, optantëve, organeve të besueshme të reformës agrare etj.[45] Qëllimi i reformës agrare dhe i kolonizimit nuk ishte që të likuidoheshin mbeturinat e marrëdhënieve çifligare feudale dhe të zgjidheshin problemet jetësore të popullsisë autoktone dhe të kolonizuar në Kosovë dhe në Maqedoni, siç proklamohej,[46] por që shqiptarët të persekutoheshin dhe të varfëroheshin deri në atë masë sa të shpërnguleshin në Turqi e Shqipëri dhe në këtë mënyrë të ndërrohej përbërja kombëtare e popullsisë së këtyre territoreve, ose, siç shkruante M. Obradoviq "të bëhej serbizimi i Kosovës".[47] “Me kolonizimin e serbëve dhe malazezëve duhej të ndryshohej përbërja kombëtare e Kosovës në dëm të shqiptarëve, ndërsa, duke u mbështetur në eksponentët e regjimit (serbë, malazezë, pjesërisht edhe shqiptarë) duhej të sigurohej pozita shoqërore-ekonomike dhe politike e hegjemonistëve serbomëdhenj. Borgjezia serbe është përpjekur që t’i asimilojë shqiptarët në Kosovë, t’i çkombëtarizojë, por edhe t’i zhdukë fizikisht. Gjendja e tillë ka shkaktuar urrejtjen e tyre ndaj Jugosllavisë borgjeze deri në atë masë sa që mezi pritnin që regjimi i tillë të ndryshohej, madje edhe me intervenim të jashtëm”. F. S. Noli theksonte: "Është fjala për afro një milion fshatarë të privuar nga të drejtat më elementare. S'ka asnjë të vetme shkollë shqiptare për këtë popullatë kompakte që në sasi kapërcen atë të Shqipërisë ...asnjë shoqëri, bile as mirëbërse, s'iu është lejuar shqiptarëve. Asnjë deputet nuk i përfaqësonte në Skupçinë e shpërndarë...Sa për turmat fshatare, këto i çfarosin me zbrazje mitrolozash, ose i shtrëngojnë të emigrojnë. Me dhjetra mijë fatzezë shtrëngohen kësisoj t'i lënë vatrat e tyre çdo mot.
Ajo që është ca më e keqe, asnjë shtet nuk do t'i pranojë këta refugjatë. Turqia mori sa deshi, Shqipëria është tepër e varfur për t'iu treguar një fole e re, vendet e tjera janë mbyllur për këtë lloj emigranti me shumicë. Përpara Evropës përsëritet një tragjedi aq e përgjakshme sa ajo e armenëve në Azinë e Vogël. Po tragjedia e armenëve ndodhi në kohën e Luftës Mondiale kur ishte zor të qenët njerëzor, kurse tragjedia shqiptare në Jugosllavi ndodh përpara syve tanë në paqë të plotë, kur është zor të mendohet që njeriu mund të jetë kaq gjakpirës".
Dendësia e madhe agrare, në disa pjesë të Kosovës madje edhe deri 400 banorë në l km katror të tokës së punueshme, pastaj copëzimi i theksuar i pronave, shkalla e ulët e forcave prodhuese në bujqësi, skamja dhe uria e pjesës dërmuese të popullatës ishin rrethana objektive që nuk lejonin popullzim plotësues të Kosovës. Meqenëse më tepër se 90% e popullsisë jetonte në fshat, ku kushti kryesor material i jetës ishte toka e punueshme, pushteti i atëhershëm e dinte mirë se me rrëmbimin e kësaj kafshate të vetme të bukës, shqiptarëve nuk u mbetej asgjë tjetër pos të shpërnguleshin në rajonet feudale e të shkreta të Anadollisë dhe në viset moçalike të Shqipërisë. Vetëm midis viteve 1928 dhe 1938, nga Kosova emigruan në Shqipëri rreth 11.000 shqiptarë, ndërsa në periudhën 1924-1941, sipas disa vlerësimeve, në këtë vend emigruan rreth 50.000 shqiptarë, kurse sipas vlerësimit të famullitarëve shqiptarë, prej krijimit të Jugosllavisë së Versajës e deri në pranverë të vitit 1930 "140.000 shqiptarë e më tepër qenë të detyruar t'i braktisin vatrat e tyre dhe pasuritë dhe të shpërngulen në Turqi, në Shqipëri dhe në shtete të tjera fqinje, ngado që të shpresonin të gjenin strehim, një copë bukë dhe sidomos pak më shumë njerëzi".Vlerësohet se prej vitit 1918 deri në vitin 1940 nga trualli i Jugosllavisë së atëhershme janë shpërngulur në Turqi, Shqipëri dhe në vende të tjera rreth 240.000 shqiptarë, ndërsa sipas disa vlerësimeve të tjera ky numër mund të jetë edhe më i madh. Mirëpo, mbetet të hulumtohet dokumentacioni i kohës për t'u konstatuar jo vetëm numri i të shpërngulurve shqiptarë në Turqi, Shqipëri dhe në vende të tjera, por edhe përbërja e tyre sociale dhe faktet e tjera relevante për këtë proces.
Nga vlerësimet e periudhës së shpërnguljes, si dhe ato të pas Luftës II Botërore shihen qartë qëllimet reaksionare dhe antipopullore të reformës agrare dhe të kolonizimit në Kosovë. "Kulmi i shfrytëzimit ekonomik ishte reforma agrare e cila kishte për qëllim: ashpërsimin e urrejtjes midis shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve, që t'i varfëronte shqiptarët deri në atë shkallë sa të detyroheshin të shpërnguleshin, të krijonte një vatër reaksionare në Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit, e t'i dobësonte masat revolucionare popullore në Mal të Zi, duke iu dhënë tokë në Kosovë dhe në Rrafsh të Dukagjinit".Në një vlerësim tjetër thuhet: "Masa e veçantë e presionit, e cila ua hante shpirtin më së shumti turmave shqiptare, ishte e ashtuquajtura reforma agrare, që ishte përsëritur disa herë dhe kishte qëllim të vërtetë reaksionar dhe politik. Qëllimi i saj nuk ishte që të zhdukeshin mbeturinat e feudalizmit dhe toka t'u ndahej fshatarëve që e punonin, por në radhë të parë t'u merrej shqiptarëve dhe te ata të krijohej pakënaqësi edhe më e madhe dhe ndjenjë e pasigurisë në mënyrë që të detyroheshin të shpërnguleshin për t'i kënaqur kortezhet politike dhe njerëzit e regjimit".
Me rastin e realizimit të reformës agrare e të kolonizimit, masat ishin më represive ndaj shqiptarëve pikërisht në ato pjesë të Kosovës në të cilat jetonte një numër i madh dhe territorialisht kompakt i tyre, si p.sh. në Rrafshin e Dukagjinit. Në një gazetë të kohës thuhej: "Rrafshi i Dukagjinit si dhe viset e tjera ku jetojnë shqiptarët, kanë hequr shumë nga klikat e ndryshme të regjimeve, të cilat me gjithë mend e kanë grirë popullin; populli këtë nuk e ka vërejtur sa duhet. Më së shumti ka pasur sukses që interesat e shqiptarëve të paraqiteshin si kundërshtim i interesave të kolonistëve. Shqiptarëve u thuhej se të ardhurit janë shkaktarë të të këqijave dhe të varfërisë së kolonistëve, ndërsa kolonistëve u thuhej se nuk ka formë tjetër për përmirësimin e jetës së tyre, përpos shpërnguljes së shqiptarëve".
Për ta arsyetuar dhunën dhe terrorin ndaj shqiptarëve me qëllim të shpërnguljes së tyre, trilloheshin veprime kriminale të shqiptarëve mbi serbët, si dhe provokacione të shumta, që plotësisht u përngjanin skenarëve të viteve të 80-ta e të 90-ta të shekullit të kaluar. Dragisha Vasiqi (1885-1945), shovinist e serbomadh, këshilltar i kryeçetnikut Drazha Mihajlloviq, duke qëndruar në viset shqiptare në fillim të viteve të 20-ta të shekullit XX, në librin e tij "Dy muaj në Siberinë Jugosllave", në rrethinën e Prizrenit u bind edhe vetë se regjimi serb "këtu çdo muaj shpif nga një masakër mbi serbët. Dihet pse dhe kjo gjë nuk është e re".Kështu kishte vepruar edhe regjimi osman; këtë e kishte vërejtur edhe Cvijiqi (që i akuzonte shqiptarë si proosmanë) gjatë hulumtimeve të tij në terren, duke theksuar se “gjatë qëndrimit tim në Prizren, në shtator të vitit 1910, çdo mëngjes shihej në treg nga një shqiptar i varur gjatë natës”. Qarqet politike serbe kështu vepronin edhe nga fundi i shekullit XIX, për çka dëshmon edhe një libër në formë të memorandumit, e ashtuquajtura "Bella knjiga", që e botoi Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, qëllimi i të cilit ka qenë të "tregojë" për “presionet e mëdha të shqiptarëve” mbi popullatën serbe në Kosovë. Mirëpo, nga korrospodenca midis Beogradit dhe Stambollit, që është botuar në këtë libër, mund të vërehet lehtë se qeveria serbe, përmes të deleguarëve dhe agjentëve të vet, i ka trilluar jo vetëm plaçkitjet, njerëzit e vrarë, dhunimet, djegiet, rrënimin e varrezave, por madje edhe emrat e vendeve, të cilat në të vërtetë nuk kanë ekzistuar.
Lexo me shume...

No comments :

Post a Comment

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Shkarko app Gjoba
per te kontrolluar
gjobat tuaja