Ese: Toleranca fetare si vlerë shqiptare | Maturanti Shqiptar

Monday, November 4, 2013

Ese: Toleranca fetare si vlerë shqiptare


Nuk ka asnjë dyshim se sot, ne shqiptarët jemi një popull i cili vazhdon të përballet me jo pak probleme që kërkojnë zgjidhje. Për fat të keq, historia shpesh nuk ka qenë shumë bujare me ne. Por në një mbrëmje si kjo, e festimit të Iftarit, s‘është vendi të flasim për problemet tona. Përkundrazi. Do të ishte me vend të kujtonim një vlerë të rëndësishme që kemi trashëguar nga historia jonë e përbashkët: atë të tolerancës dhe bashkë-ekzistencës sonë fetare.Bashkë-ekzistenca e shkëlqyer që ekziston sot mes nesh, mes shqiptarëve, pavarësisht nga besimi, pavarësisht nëse jemi të besimit mysliman, suni apo bektashinj, apo të besimit të krishterë, katolik, ortodoks, protestant, të besimit hebre apo tjetër, përbën sot një vlerë për të cilën ndjehemi vërtet krenarë. Është pikërisht kjo krenari që kemi dhe e ndjejmë gjithmonë, ashtu si edhe sot, me rastin e Ramazanit të Madhërishëm si festë e mirësisë, mëshirës dhe solidaritetit njerëzor për njëri-tjetrin, pavarësisht nga

përkatësia fetare, politike, racore apo tjetër.Kjo krenari dhe kjo përvojë që kemi ne, si botë shqiptare në mes të Europës, merr edhe më shumë vlerë në kohët e trazuara që po jetojmë. Aq më tepër kur, fatkeqësisht e jo rrallë, në një sërë rajonesh në botë, përfshirë jo larg në kohë edhe gadishullin tonë, feja dhe përkatësia fetare u keqpërdorën apo dhe vazhdojnë të keqpërdoren si faktorë për të nxitur përçarjen dhe urrejtjen.Toleranca dhe bashkë-ekzistenca jonë e shkëlqyer fetare e shqiptarëve, në të vërtetë përbën një vlerë të jashtëzakonshme dhe një kontribut të shkëlqyer, që pa pretenciozitet e me modesti të duhur, ne shqiptarët, qofshim të Kosovës, të Shqipërisë apo të Maqedonisë, i ofrojmë Europës së Bashkuar. Pa pretenciozitet dhe me modesti të theksuar ia ofrojmë këtë virtyt të lartë shqiptar edhe civilizimit global e dialogut të domosdoshëm mes kulturave globale, nganjëherë nga pak edhe të konfrontuar në disa aspekte. Le t‘i ngremë ato në nivel dhe formë të vlerave universale e bashkëkohore njerëzore të civilizimit modern, nga të cilat do të përfitojë i gjithë njerëzimi. Kjo tolerancë dhe bashkë-ekzistencë e shkëlqyer ndërfetare po materializohet në një formë serioze edhe me Forumin e Civilizimeve Globale, që së fundi mbajti takimin e tij të radhës edhe në Tiranë. Dhe këto integrime, jam i bindur se na nevojiten të gjithëve, dhe jam i bindur se do të mbeten objektivi ynë i përbashkët e madhor.Në fakt, toleranca dhe mirëkuptimi, si koncepte kyçe të doktrinave fetare të mëdha, janë vlera që qëndrojnë në thelb të vetë mësimeve të shenjta - të fesë islame, të fesë së krishterë dhe të fesë hebreje, si dhe të të gjitha feve të tjera të mëdha. Dhe atë, jo vetëm sepse janë segmente doktrinore larpurlartiste, nëse më lejoni ta formuloj kështu, por sepse janë nevojë primare e jetës, zhvillimit, progresit dinamik dhe paqes, si parakusht i tyre.Festa të tilla të na shërbejnë edhe në të ardhmen, dhe jo vetëm neve, për të nxitur edhe më tej dashurinë, mirëkuptimin, besimin dhe solidaritetin njerëzor mes nesh, këtu dhe gjithandej.* Fjala e mbajtur nga ambasadori i Kosovës në Tiranë, dje në mbrëmje, me rastin e organizimit të Iftarit nga kjo ambasadë.
Shiko me shume »

3 comments :

  1. Shum bukur ese sh e mire bravo

    ReplyDelete
  2. Jshtezakonisht shum nice wow nice very nice

    ReplyDelete
    Replies
    1. A nuk fol dot shqip bre

      Delete

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Shkarko app Gjoba
per te kontrolluar
gjobat tuaja