Qyteti i fundit - Petro Marko (Analiza) | Maturanti Shqiptar

Sunday, May 12, 2013

Qyteti i fundit - Petro Marko (Analiza)


Qyteti i fundit - Petro Marko (Analiza)

Në këtë roman autori trajton një temë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, por, është shkruar nga një kënd i ri, që solli një frymë të re në letërsinë shqiptare.

Tërë ngjarja e romanit shtrihet brenda disa ditëve të fundit të qëndrimit të robërve italianë, të cilët të grumbulluar në portin e Durrësit, prisnin anijet e kthimit për në atdhe.

Gjatë pritjes njëjavëshe, në port ndodhin ngjarje të ndryshme, jo të mëdha. Autori do të sjellë rrëfimin për dashurinë e oficerit të ri shqiptar Lekës dhe prostitutës së bukur italiane Ana Maria Monte, viktimë po ashtu e luftës dhe e fashizmit.

Brenda 7 ditëve, aq sa qëndrojnë italianët e mbledhur në portin e Durrësit
 për t'u kthyer në Itali, shkrimtari në romanin "Qyteti i fundit" do të zbulojë dhe do të rrëfejë historitë dhe fatet e disave nga ushtria fashiste që para 4-5 viteve e kishte pushtuar Shqipërinë.

Në këtë pleksje historish e fatesh, autori do të sajojë linjën e rrëfimit që ndjek hetimi për zbulimin e një krimineli lufte, të maskuar dhe të fshehur brenda turmës së "Qytetit".

Në krye të grupit që duhet ta organizojë dhe ta udhëheqë këtë zbulim është toger Leka. Pista që ndjek togeri në këtë drejtim, e ngjashme me labirintet e romaneve deduktive, do të ecë dhe përmes prostitutës italiane - Ana Maria Monte. Dhe do të lindë dashuria mes tyre, që është shumëfish më "mëkatare" se ajo mes Gorit dhe Anitës. Leka është toger i Sigurimit Shtetëror të Shqipërisë së sapodalë nga lufta, që la pas shkatërrime dhe krime, ndërsa italiania Ana është e palës që i kreu ato krime, e palës së cilës i shërbente.

Kështu shkrimtari, duke ndjekur këtë linjë do të ecë nëpër një teh të mprehtë: do ta lejojë togerin e Sigurimit t'i nënshtrohet zërit të brendshëm dhe të dashurohet me italianen e bukur, apo do të nxjerrë para tij fuqinë e përgjegjësisë dhe të mëkatit ndaj "mollës së ndaluar"?

Romani "Qyteti i fundit", në këtë drejtim, sjell mjeshtërinë e të rrëfyerit të Petro Markos, që, i futur vetë mes dy zjarreve, arrin të manovrojë dhe t'u krijojë hapësirë artikulimi të dy krahëve, duke realizuar portrete komplekse, në radhë të parë si ai i toger Lekës.

Gjithsesi ai si shkrimtar, pati i pari kurajo krijuese që të prekë sfera delikate, të rrezikshme të realitetit shqiptar të kohës, pasojat e të cilave i ndjeu gjithë jetën. Personazhet janë: toger Leka, Mara e Bedrija dhe fashistët Karlo Peroni, Ana Maria Monti etj.

No comments :

Post a Comment

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Shkarko app Gjoba
per te kontrolluar
gjobat tuaja